Për kë ka mësuar të puthë dhe ka harruar të flasë

Sa prej jush kur ishin te vegjël, mbyllnin sytë kur në televizor shfaqeshin dy aktorë duke u puthur?
Këtë bëri ime motër përpara dy ditësh. Është 9 vjeç dhe i pëlqejnë dy djem në klasë: mezi po pret që, njëri ose tjetri, t’i thotë: “të dua”. Po kalon moshën e aseksualitetit, androgjinisë; sapo ka nisur të zbulojë identitetin gjinor dhe t’u përshtatet stereotipive. Di që është vajzë dhe beson se si e tillë, duhet të pëlqejë djem. Të gjithë e shtyjnë të presë t’ia thonë ata të parët. Ka nisur të vishet me rozë dhe nuk shikon më Spiderman-in, por Sailormoon-in.
Edhe pse ka akoma turp nga puthjet ne tv, në një kuptim ajo e di çfarë është dashuria, në formën më të thjeshtë të saj: është vëmendje. Ime motër kërkon vëmendje. Unë, shokët e mi, ju, kërkojmë vëmendje. Por në ndryshim nga ajo, e kamuflojmë këtë nevojë aq shumë sa ia mohojmë vetes. Kurse ime motër nuk ka frikë (akoma) të më mbështesë kokën mbi sup e të më thotë: “Dua të rrish më shumë me mua.”
Shpesh vras mendjen se kush nga ne është më e lirë: unë që puth çuna dhe goca por kam frikë t’u kërkoj të më dëgjojnë apo ajo, që në mënyrën më të natyrshme e kupton se që të të dëgjojnë, duhet t’i dëgjosh? Ime motër, 9 vjeç, di të krijojë marrëdhënie më të shëndetshme se të miat.
Me të provuar e me të dëgjuar e kam: mungesa e komunikimit është arsyeja kryesore pse shumë lidhje nuk funksionojnë. Ne 20 e ca vjeçarët vërtet e kemi pranuar seksin si pjesë të jetës, por marrëdhëniet verbale dhe emocionale i krijojmë mbi parime dëshpërimisht të ndërlikuara. “Le të më shkruajë ai i pari”, është shembulli më tipik i standarteve shoqërore që sjellin gjithë këtë ngatërresë. Të rritesh mesa duket do të thotë të shkëmbesh tabunë e puthjes me tabunë e të shprehurit.
Na është ngulitur aq thellë sa ka edhe nga ata djem që, në vend ta vlerësojnë ëmbëlsinë e një “mirëmengjesi” me sms, e marrin për shenjë varësie emocionale. Të duash atë që nuk të do është kaq e mbrapshtë, ngado ta kapësh. Sepse edhe për diçka kaq të thjeshtë, të zakonshme sa puthja, duhen gjithmonë dy.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s