Anoreksia sociale

bodycount(s) by Nurjona Pinguri
Photo by Nurjona Pinguri

Përreth dy vite kur isha në fakultet, evitoja sa të mundesha kontaktin me ushqimin. Kjo do të thoshte: jo më dreka e darka me të shtëpisë, dalje në darkë me shoqërinë sepse në fund me siguri do të përfundonim në ndonjë fast food në 5 të mëngjesit, derisa andej nga fundi s’kishte më as dalje nga dhoma për të shkuar në kuzhinë.
Tre vjet më vonë, është e çuditshme se po bëj ekzaktësisht të njëjtën gjë, veçse tani s’e kam prej frikës nga peshorja.

Nuk jam e vetmja: ca muaj më parë të gjithë ishin ndryshe, të gjithë rrinim bashkë, qeshnim, pinim, flinim në shtëpitë e njëri-tjetrit dhe ndiheshim mirë se problemet treteshin me pije, qejf, me fast food në 5 të mëngjesit. Kurse tani që shkruaj, jam vetëm dhe kjo rrugë e bërë në këmbë me shpejtësinë e dikujt që e ndjekin, ishte e vetmja gjë për të cilën kam menduar tërë ditën.

Edhe të tjerët, të njëjtët që pinin, qeshnin, etj. etj., janë duke bërë me siguri diçka të ngjashme. Ca ikjen e kanë me të ecur, ca me gjumë.

Sa herë zhgënjehem thellë, kam prirjen t’i iki gjithçkaje. Pastaj më qëllon të takoj, si me porosi, dikë që ka kaluar diçka të tillë rishtaz, që më bën ta shikoj të gjithën si një mishmash të pakuptimtë, ku të gjithë zhgënjehen nga të zhgënjyerit, të zhgënjyerit zhgënjehen nga të zhgënjyer të tjerë dhe në mes je ti, që as s’ke zhgënjyer e as s’të kanë zhgënjyer, se s’ke pritur kurrë diçka më të mirë dhe askush s’ka pritur kurrë asgjë nga ti.

Por prapë, sido të jenë pritshmëritë, gjithë kjo koklavitje të lë një shije aq të hidhur, sa edhe kafenë nis ta pëlqesh pa sheqer. Vezën e ha pa kripë, ushqimi yt i preferuar e humbet shijen, e harron në frigorifer dhe kështu, të gjitha ndijimet e tua marrin atë trajtë që me përkëdheli e thërrasim “jetë prej të rrituri”.

Shmangia- skipping– fillon të të lezetojë dhe bëhet arma jote për të përballuar gjërat. Përshembull: ke shumë gjëra për të bërë? Shmang më pak të rëndësishmet. Të duhet të zgjedhësh diçka për të veshur në festën e së premtes mbrëma: mund të shkosh edhe ashtu siç je. Problemi është se ti e di se asgjë nga këto nuk është më pak e rëndësishme se të tjerat, madje nëse do të duhej të zgjidhje mes përgjegjësive dhe gjumit…

Ja që nuk zgjedh dot. E vetmja zgjidhje që të mbetet është ta flijosh të premten mbrëma për ndonjë orë gjumë më shumë, kafenë e pasdites për t’u larë, shopping-un e të dielës për të sistemuar rrumpallën e gjithë javës që të bie mbi kokë sa hap dollapin.
Kjo jetë e shëndetshme si një tas sallatë jeshile pa vaj bëhet menuja jote e vetme mëngjes-drekë-darkë, 7 ditë në 7. Thënë kështu ngjan kaq tragjike, në mos patetike. Kuja e gjatë acaruese e dikujt që e di veten rebel por s’ka asnjë kauzë kështu që, i duhet ta shpikë një të tillë.

Dhe kështu është vërtet. Për çdo anoreksik janë 10 mijë fëmijë të uritur në Afrikë. Kurse për çdokënd që shkruan pallavra në blogun e vet teksa shëtit nëpër Bllok, është një Zuckerberg që s’u ankua dhe s’u dëgjua kurrë të thoshte: “Koha është flori”.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s